SHOQATA E PËLLUMBAVE AKROBATIKË TË KOSOVËS NË ZVICËR
 





Kush jemi ne

 

KUSH JEMI NE

Kush jemi ne? Prej nga vijmë? Çfarë punojmë? - e shumë pyetje tjera shtrohen për përgjigje. Por, ne do përpiqemi të prezantohemi shkurt, për të mos u humbur kohën askujt për lexim.
Ne jemi shqiptarë, "punëtorë të përkohëshëm" në botën e jashtme, siç janë mësuar të na quajnë institucionet tona shtetërore. Me kohë kështu u mësuan të na thërrasin edhe shokët, miqtë dhe familjarët tanë në Kosovë. Kjo fjalë, si "punëtorë i përkohëshëm në botën e jashtme", në fakt neve na i tkurrë supet, na rëndon sikur plumb. Sikur të na largojnë sa më larg dheut dhe trungut stërgjyshor.
Në të vërtetë, çdonjëri nga ne kemi ardhur të punojmë vetëm përkohësisht në vendet e Evropës perëndimore, për një kohë të shkurtër, sa për të fituar ca para për të mbajtur familjen, për të ndërtuar një strehë mbi kokë në Kosovë dhe për t'ua mundësuar fëmijëve tanë të shkollohen pranë shtëpisë dhe familjes.
Por, kjo "përkohëshmëri" u stërzgjat, shumëkujt nga ne ua hëngri shëndetin dhe vetë jetën. Zgjati me afat pa kufi. Pikërisht kjo zgjatje e pakuptimtë shumëkend nga ne i shtyri të kenë pranë vetes një copëz vendlindje, një copëz Atdhe, një afsh freskimi shpirtëror.
Kështu, fillimisht në mënyrë individuale e më vonë edhe në grupe, filluam të merremi me kultivimin e njërës nga shpendët më fisnike - pëllumbin, të cilin qysh të parët tanë ilirët e bartnin me vete ngado që shkonin.
Jemi, pra, "punëtorë të përkohëshëm" në Zvicër, dhe për të hequr mallin e Kosovës kultivojmë pëllumbat e Kosovës, sidomos atë rrotullues, ai që shpirtërat tanë për një moment i bartë përmes lartësive në Kosovën tonë të shenjtë martire.
Jemi po ata "punëtorë të përkohëshëm" në Zvicër, të cilët në kohët më të vështira iu gjetëm pranë Kosovës dhe popullit të shtypur shqiptar nga zinxhirët e rëndë të robërisë së egër serbe. S'ka nga ne, kultivuesit e pëllumbave të Kosovës në Zvicër, që edhe metelikun e fundit të mos e kemi dhënë për të papunët, për të sëmurët, për shkollat shqipe nëpër bodrume të shtëpive private, për të ikurit, për luftëtarët, për të plagosurit dhe familjarët e dëshmorëve. Dhe s'mund të jenë ndryshe ata që kultivojnë pëllumbat, këtë shpend të lartësive ku ndjenja e lirisë është më e theksuara. Pikërisht pse e duam lirinë, të jemi të lirë sikur pëllumbat në fluturim, ne kultivojmë edhe në Zvicër këtë shpend.
Në mesin tonë ka punëtorë krahu pa shkollë, ka edhe me shkollën fillore, por ka edhe me shkolla të mesme e me shkolla të larta. Dashuria për pëllumbat nuk njeh kufinj të shtresave shoqërore. Ky është një pasion i fuqishëm, të cilin e njohin vetëm ata që e përjetojnë. Është një ndjenjë e papërshkrueshme. Një ndjenjë e këndëshme, ku të duket se po fluturon bashkë me pëllumbat.
Për të qenë më afër njëri tjetrit kultivuesit e pëllumbave të Kosovës në Zvicër u shtrua kërkesë e domosdoshme që të krijojmë lidhje më të drejtpërdrejta komunikimi mes vete, si dhe për njoftimin e opinionit lidhur me aktivitetin e kultivuesve të pëllumbave të Kosovës në Zvicër. Aktivistë të shoqatës sonë dolën me idenë e hapjes së një dritareje në faqet e internetit, përmes së cilës do bëhemi më të afërt me njëri tjetrin, por edhe të prezantohemi në opinionin e huaj sa më denjësisht.

Ky është, pra, qëllimi i faqes sonë të internetit, të cilën do ta quajmë një dritare ngrohtësie e pëllumbave të Kosovës në Zvicër.